UBT News

MINT nxjerr vendim për shfuqizimin e 5 certifikatave të bizneseve

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari ka njoftuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve ka nxjerrë vendime për shfuqizimin edhe të 5 bizneseve, të cilat sipas saj ishin me emërtime antikushtetuese.

Ministria Hajdari ka thënë se mes 660 dosjeve të rishqyrtuara, 48 sosh kanë rezultuar me emërtime kundër kushtetuese, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë.

“Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK ka filluar sot hapat administrativ të parashikuar me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese”, ka shkruar Hajdari në Facebook.

Sipas ministres Hajdari, këto 5 biznese, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Gnjilane – Serbi”; “Pristina – Serbi”; “Djakovica – Serbi”; “Kosovska Mitrovica – Serbi”.

“Bizneset në fjalë kanë veprimtari përkatësisht në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor”, shkruan ajo.

Po ashtu ajo bën të ditur se ditëve në vijim, pritet që ARBK të vazhdojë me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“E falënderoj Komisionin për riverifikim për punën e shpejtë dhe profesionale në shqyrtimin e qindra dosjeve gjatë javëve të fundit, si dhe ARBK për marrjen e menjëhershme të masave për zbatimin e ligjit. Edhe një herë, MINT mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, shkruan ajo. 

Exit mobile version