UBT News

Ministrja Nagavci e ashpër me deputetët opozitarë: Shqetësohem kur flisni broçkulla

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka vazhduar përplasjet me deputetët opozitarë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët 2023-2024.

Nagavci duke iu reaguar deputetëve opozitarë tha se ajo është e shqetësuar kur po dëgjon të zgjedhurit e popullit të flasin siç u shpreh ajo, broçkulla.

Ndaj këtyre deklarimeve të ministres Nagavaci ka reaguar deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se si pedagog që është do t’ia kishte thyer notën e sjelljes ministres Nagavci për këto deklarime, derisa e akuzoi ministren se po e përndjek, pasi po merret me diplomën e tij universitare.

“Minimumi njerëzor ta kisha thyer notën e sjelljes si pedagog 26-vjeçar për komunikim me deputetët. Ke emëruar në krye të institucionit më kredibil të shtetit për akreditim, njerëz që kanë marrë nënshkrimin e Papoviqit në vitet e 90-tat”, tha Shala.

Ministrja Nagavci hodhi poshtë deklarimet e deputetit Shala, teksa e akuzoi atë se e ka marrë shtëpinë që është pronë e universitetit.

Ndërsa deputeti Shala tha se shtëpia është e tij, derisa akuzoi ministren se më mënyrë të paligjshme po menaxhon Universitetin e Prishtinës me bord të jashtëligjshëm.

Exit mobile version