Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në fund të vitit do të finalizojë njëzetë plotësim-ndryshime të ligjeve që prekin këtë dikaster. Ndër më të rëndësishmit pritet të jetë projektligji për investime strategjike, projektligji për zonat ekonomike, konkurrencën, turizmin dhe projektligji për inspektoriatin.
Udhëheqësja e kësaj ministrie, Rozeta Hajdari thotë për KosovaPress, se do të rishikojnë gjithçka, pasi dëshirojnë qasje gjithëpërfshirëse, e jofavorizuese.
“Kemi edhe shumë programe të tjera, sidomos në rishikim të ligjeve të cilat janë afërsisht 20 që po i rishikojmë këtë vit. Kemi finalizuar për tregtinë e jashtme, ligjin për metalet e çmuara janë në parlament. Ligji tani për konkurrencën tani do të paraqitet në qeveri, ligji për turizmin që e përmenda, por edhe ligjet për brendësinë industriale që janë gjithsej 5 ligje. Ligji për inspektoratin që është finalizu, aty do të jetë një koordinim i gjithëmbarshëm në nivel vendi për inspektoriatin. Këto janë disa nga ligjet, kemi edhe disa ligje të tjera që janë në rishikim, si ai për investime strategjike, ligji për investimet e huaja, ligji për zonat ekonomike. E gjithë kjo për sjell sa më shumë investime në Kosovë, por me barazi dhe gjithëpërfshirje, jo me favore dhe devijime siç kanë qenë ligjet në të kaluarën”, thotë ajo.
Krahas këtyre, ministrja Hajdari bënë të ditur se javën e ardhshme do të dërgojnë në Qeveri për miratim projektligjin për turizëm.
I njëjti, sipas saj, është shumë i rëndësishëm për vendin.
“Në fushën e turizmit çka e kemi në plan është e para strategjia që është në finalizim, është ligji që veçse është finalizuar dhe do të paraqitet në Qeveri në mbledhjen e radhës po shpresoj, pasi janë edhe disa gjëra që do të analizohen dhe e treta është brendimi i Kosovës. Pasi ne së bashku me partnerët ndërkombëtar dhe unionin e turizmit jemi duke munduar sa më shumë të punojmë këtë vit për të finalizuar dokumentin për brendimin e Kosovës, pasi kemi shumë çfarë të paraqitim në fushën e kulturës dhe trashëgimisë”, shton Hajdari.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për KosovaPress, jep detaje edhe për nënshkrimin e dy marrëveshjeve me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut.
“Kemi nënshkruar dy marrëveshje, është marrëveshja për inovacion, ndërmarrësi dhe teknologji dhe marrëveshja e dytë për zhvillimin e turizmit. E gjithë kjo për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, por edhe për të ndihmuar në krijimin e mundësive të përbashkëta në nivel rajonal, pasi bashkëpunimi rajonal afron më shumë agjendën për integrim evropian”, thotë ajo.
Kuvendi i Kosovës ku duhet këto projektligje të votohen të hënën do të mbajë seancën e parë të sesionit vjeshtor, derisa Qeveria Kurti në fund të muajit gusht ka bërë një riaranzhim të agjendës legjislative./