Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është dënuar me 700 euro gjobë. Kështu ka informuar sot Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka bërë të ditur se Hajdari është gjobitur për veprën penale, “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
“E akuzuara R.H është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën 700 (shtatëqind) euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita kur ky Aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm. E akuzuara R.H në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor nuk e ka respektuar nenin 6 paragrafin 1 nën paragrafin 1.1 lidhur me nenin 7 të Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik”, është bërë e ditur në komunikatë.
Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 15 ditëve nga koha e pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.