Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të enjten se Bashkimi Evropian është i vendosur të lëshojë “pakon e plotë të sanksioneve” kundër Rusisë, duke shtuar se bota duhet t’i përgjigjet me vendosmëri pushtimit të Ukrainës, ose të rrezikojë të paguajë çmim edhe më të lartë.
“Ne u zgjuam në një botë tërësisht ndryshe”, u tha Baerbock reporterëve në një konferencë për media në Berlin, duke shtuar se “do të lëshojnë një paketë të plotë sanksionesh kundër Rusisë”.
“Nëse nuk i përgjigjemi me vendosmëri tani, ne do të paguajmë një çmim edhe më të lartë”, deklaroi Baerbock.
Ministrja e jashtme gjermane i tha presidentit rus se: “Nuk do ta shkatërroni kurrë ëndrrën për demokraci” dhe se Ukraina s’ka bërë “asgjë gabim” për ta merituar pushtimin rus.
Baerbock u bëri thirrje qytetarëve gjermanë të largohen menjëherë nga Ukraina, duke shtuar se nëse nuk mund të largohen nga shteti, së paku ta gjejnë një vend të sigurt. Baerbock tha se ambasadat gjermane në vendet fqinje do të jenë të pranishme në kufij për të ofruar ndihmë për qytetarët e BE-së./UBTNews/