Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, ka bërë të ditur se kontrollet kufitare do të vazhdojnë për një periudhë të pacaktuar, derisa migrimi i parregullt të bjerë dukshëm. Këtë deklaratë ajo e dha gjatë një vizite në kufirin gjermano-polak, ku njoftoi se kontrollet kufitare me Poloninë, Republikën Çeke, Austrinë dhe Zvicrën do të mbeten në fuqi.
Kontrollet kufitare, të cilat u vendosën fillimisht në tetor 2023, janë projektuar për të luftuar migracionin e parregullt dhe kontrabandën e qenieve njerëzore. Ministrja Faeser theksoi se masat po tregojnë efekt, por ato do të zgjasin deri në momentin kur migrimi i parregullt të ketë pësuar një rënie të dukshme.
Fillimisht, kontrollet ishin parashikuar të përfundonin më 15 dhjetor 2024, por tani pritet që ato të zgjaten përtej kësaj date, derisa të hyjë në fuqi reforma e sistemit evropian të azilit. Në zonën e Shengenit, lëvizja e lirë e udhëtarëve dhe mallrave është normale, por vendet anëtare mund të vendosin kontrolle kufitare kur kjo është e nevojshme, duke njoftuar Komisionin e BE-së, pa kërkuar miratimin e tij./UBTNews/