UBT News

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen dy javë pasi kanë kaluar COVID-in

Me qëllim të parandalimit të infektimit dhe mbrojtjes nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të cilëve e kanë kaluar koronavirusin në muajt e fundit që të vaksinohen me vaksinën kundër sëmundjes infektuese.

Sipas MSh-së, të dhënat shkencore sugjerojnë se ata që e kanë kaluar COVID-19, mund të vaksinohen dy javë pas shërimit.

“Imuniteti natyral i fituar nga kalimi i sëmundjes vjen duke u dobësuar me kohë dhe për më tepër, jo të gjithë ata që e kalojnë COVID-19 fitojnë imunitet të mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga ri-infeksioni, thuhet në një komunikatë për media. Prandaj, me qëllim të parandalimit të ri-infeksionit, MSH u bën thirrje këtyre qytetarëve që të vaksinohen si mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet”, thuhet në njoftimin e MSh-së.


MSh u bën thirrje të gjithë qytetarëve që krahas vaksinimit t’i zbatojnë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë./UBTNews

Exit mobile version