UBT News

Ministria e Shëndetësisë paralajmëron 100 inspektorë të rinj për luftën kundër duhanit

Ministria e Shëndetësisë po planifikon t’i punësojë edhe 100 inspektorë me qëllim të rritjes së kontrollit të përdorimit të duhanit në Kosovë, kështu tha ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë një konference për media në prag të Ditës Botërore Kundër Duhanit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se është lajm i mirë që në Kosovë ka rënie të përdorimit të duhanit për shkak të politikave të ndërmarra, por shtoi se ende duhet punë.

Vitia theksoi se miratimi dhe zbatimi i udhëzimit administrativ për vërejtjet e kombinuara shëndetësore në pakot e duhanit ka dhënë rezultatet e tij.

Në Kosovë sipas STEPS përdorimi i duhanit është në rënie krahasuar me vitin 2011 apo hulumtimin paraprak, që natyrisht kjo është një lajm i mirë, ky është trend inkurajues që dëshmon efektivitetin e politikave të deritanishme, por një trend i pamjaftueshëm për qëllimet që ia kemi bërë vetes,” tha ai.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se me Ministrinë e Financave po shohin mundësinë t’i shtojnë kapacitetet inspektuese edhe për 100 inspektorë me qëllim të rritjes më të madhe të kontrollit të duhanit.

Rritja e akcizës në 65 euro për kilogram sipas vendimit të qeverisë së Kosovës është tjetër sinjal që politikat fiskale po japin efekt… Kemi fuqizuar edhe kapacitetin inspektues përmes rekrutimit të rreth 30 inspektorëve të rinj që kanë ndihmuar në zbatim të ligjit, por natyrisht kjo akoma nuk është e mjaftueshme dhe vazhdon të mbetet sfidë serioze, prandaj kohëve të fundit në bashkëpunim me ministrinë e Financave po përgatisim një plan për angazhimin e rreth 100 vetave shtesë që ky ligj të zbatohet në përpikëri në të gjitha vendet ku nuk duhet të pihet duhani,” theksoi Vitia.

 

Exit mobile version