Ministria e Shëndetësisë ka dalë me reagim lidhur me raportimet e sotme se ministri Armend Zemaj ka pasur një incident me dy inspektorë shëndetësorë.
Ministria e Shëndetësisë me anë të një reagimi theksoi se Zemaj s’i ka kërcënuar as fyer inspektorët.
Ministria e Shëndetësisë thekson se në orët e mëngjesit të ditës së sotme, derisa Ministri Zemaj po kryente punët e tij të rregullta dhe kishte palë të tjera të caktuara për takime, dy inspektorë shëndetësorë (N.K. dhe B.V), duke keqpërdorur kartën e identifikimit të Inspektoratit Shëndetësor, pa paralajmërim të Kabinetit nga Kryeinspektorja të cilës i përgjigjen, kanë ardhur te Kabineti i Ministrit duke e penguar në punë drejtpërdrejt Ministrin, me kërkesa për pagesë të 300 eurove, të cilat ata i kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Duke qenë që të njëjtit nuk kanë pasur as takim të caktuar e as autorizim nga Kryeinspektorja për ta trajtuar këtë temë, Ministri nuk ka mundur t’i pres në takim për shkak se ka pasur të paracaktuara takime dhe agjendë tjetër. Këtë shkelje të hierarkisë dhe përgjegjësive në punë dhe ndërhyrjen e tyre në punën e Ministrit, Ministri Zemaj e ka denoncuar tek Kryeinspektorja me qëllim të marrjes së masave disiplinore sipas Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor.”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë./UBTNews