Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar edhe dy udhërrëfyes klinik, udhërrëfyesin për diagnostikimin dhe menaxhimin e Tuberkulozit ekstrapulmonar dhe udhërrëfyesin klinik për Menaxhimin e Infeksionit Latent të Tuberkulozit.
Ministria e Shëndetësisë njofton se këta udhërrëfyes do t’u shërbejnë profesionistëve të tre niveleve të kujdesit shëndetësor që të bëjnë menaxhimin më të mirë të infeksioneve me tuberkuloz, sipas mjekësisë së bazuar në dëshmi. Me këta dy udhërrëfyes klinik të aprovuar sot, numri i tyre ka arritur në 19.
“Prej fillimit të hartimit të Udhërrëfyesve dhe Protokolleve Klinike, MSh ka hartuar dhe aprovuar gjithsej 8 udhërrëfyes klinik, ndërsa vetëm gjatë mandatit tim janë hartuar dhe aprovuar 11 udhërrëfyes klinik.Falënderoj grupet punuese për hartimin e udhërrëfyesve klinik, Komisionin për vlerësim dhe Këshillin Kosovar për Udhërrëfyes dhe Protokolle klinike për punën e tyre në nxjerrjen e këtyre dokumenteve të rëndësishme për menaxhimin klinik të sëmundjeve të ndryshme. Gjithashtu, sot kemi formuar edhe Grupin punues për hartimin e Protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientët me COVID-19, me përbërje të ekspertëve të lëmive gjegjëse”, shkroi Zemaj në Facebook./UBTNews