Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë detaje për lirmin e tre policëve të Kosovës që u rrëmbyen nga njësitë speciale të Serbisë. MPJD njofton se ndaj Rifat Zekës, Beqir Sefit dhe Mustafë Shemit, është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Lartë e Kralevës, për vepren penale “prodhim, mbajtje dhe qarkullim ilegal i armatimit dhe mjeteve shpërthyese” .
“Ambasadori Jetish Jashari dhe stafi i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, të cilët kanë qenë të angazhuar intensivisht në këtë proces, tashmë janë duke finalizuar procedurat formale për të mundësuar kthimin e tyre në Republikën e Kosovës tek familjet e tyre”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Tutje në njoftim thuhet se atyre iu është lejuar që të mbrohen në liri.
Ministria e Jashtme thekson se rrëmbimi i policëve tanë në detyrë brenda territorit të Kosovës është një akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare, dhe se akuzat e autoriteteve serbe janë të paqëndrueshme dhe të motivuara politikisht.