Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati sot ka pranuar nga Udhëheqësi i Zyrës së BERZH-it në Prishtinë, Neil Taylor, Strategjinë Shtetërore të BERZH-it për Kosovën (2022-2027), bëhet e ditur në një komunikatë për media.
Strategjia, e cila zhvillohet në koordinim me institucionet vendore, identifikon fushat në të cilat BERZH-i është më së miri i pozicionuar për të ndihmuar Kosovën dhe paraqet konditat për zhvillimin e projekteve të reja me përkrahjen e BERZH-it gjatë viteve 2022-2027.
Ministri Murati me këtë rast vlerësoi lartë bashkëpunimin me BERZH-in, si një partner i fuqishëm për arritjen e objektivave të Qeverisë drejt zhvillimit dhe forcimit të performancës së sektorit privat në Kosovë, përkrahjes së tranzicionit drejt energjisë së pastër, përmirësimit të ambientit dhe zhvillimin infrastrukturor.
Prioritetet kryesore të kësaj strategjie janë: Zhvillimi i një sektori privat më konkurrues dhe gjithëpërfshirës për të mundësuar rritje ekonomike, mbështetja e tranzicionit të ekonomisë së gjelbër në Kosovë përmes diversifikimit të burimeve të energjisë dhe efikasitetit më të madh në përdorimin e burimeve dhe mbështetja e integrimit rajonal infrastrukturor drejt tërheqjes së investimeve të huaja.
Sipas komunikatës, gjatë këtij takimi, palët u zotuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre me qëllim që të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës.