Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka dhënë sqarime për përfituesit e skemave pensionale në e Kosovës . Kjo ministri ka informuar, që përfituesit të jenë të kujdesshëm ndaj informatave të rreme që qarkullojnë këto ditë, të cilat kanë për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë dhe që ‘mund të përbëjnë skema mashtruese apo edhe tendencë për keqpërdorimin e të dhënave personale’.
“Lidhur me çdo ndryshim eventual, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jo zyrtare”, thuhet në reagim.
MFPT fton qytetarët të kenë kujdes e të mos bien pre e mashtrimeve dhe dezinformatave, ‘dhe rastet e tilla kur ju premtohen shuma parash në këmbim të një pagese tani, t’i paraqesin edhe në organet e rendit’.
Policia e Kosovës, me datë 13 maj të këtij muaj ka pranuar autorizim nga Prokurori kompetent lidhur me dyshimet mbi mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Republikës së Kosovës.
“Bazuar në autorizim dhe në informacionet e siguruara, njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të RKS-së”, thuhet në komunikatën e policisë.
Më tej thuhet se Policia e Kosovës po i trajton të gjitha informacionet relevante, përderisa të gjitha veprimet në vazhdim do t’i ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ‘andaj njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë qytetarëve/pensionistëve që të mos bien pre e mashtrimeve të mundshme, dhe për çdo rast të dyshuar ta njoftojnë Policinë e Kosovës, në stacionet më të afërta policore apo në (192) dhe info@kosovopolice.com’.