Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka thënë se kjo Ministri është ballafaquar me 40 milionë euro obligime ndaj fermerëve, e përkundër kësaj përveç që kanë adresuar këtë shqetësim, kanë krijuar kushtet e nevojshme për shpalljen e programit për pagesat direkte 2021.
“Për këtë program të pagesave direkte për vitin 2021 kemi në dispozicion vlerën prej 21 milionë euro, ndërsa në total për këtë vit janë paraparë mbi 50 milionë euro”, ka deklaruar ai.
Ai ka treguar edhe për risitë e këtij programi, siç tha ai për të parandaluar keqpërdorimet.
“Në aspektin e grurit mbështetja do të jetë 50 përqind me anë të sipërfaqeve, ndërsa 50 përqind me anë të rendimetit. Sa i përket vreshtarëve, mbështetja do të jetë e përshkallëzuar, 1 mijë euro për hektarë për fermerët që kanë mbi 100 hektarë të kultivuar me rrush”, ka thënë ministri Peci.