Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e ka vënë në prioritet avancimin e sistemit të ujitjes, duke pasur parasysh se përmes investimeve në këtë sistem ndikohet funksionimi dhe zhvillimi i sektorit të bujqësisë.
Për këto investime që janë planifikuar të realizohen në sistemin e ujitjes ka treguar sot ministri Faton Peci gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës, ku ka parë nga afër investimet e realizuara në rehabilitimin e sistemit të ujitjes Radoniqi – Dukagjini.
“Pas më shumë se 40 vjetëve fshatrat Doblibar dhe Bardhasan të Gjakovës dhe Petrovë, Trepetnicë e Shpinadi të Prizrenit kanë qasje në sistem të ujitjes. Në Komunën e Rahovecit është realizuar rehabilitimi i sistemit të ujitjes, i cili përfshin Gexhë, Radost, Ratkoc, Denjë Dobridol, Polluzhë, Qifllak dhe Kramovik me një sipërfaqe një mijë e 300 ha duke përfshirë mbrojtjen e gypit transit nëpër të cilin kalon Drini i Bardhë dhe furnizon me ujë fshatrat e këtij nënsistemi. E deri më tani kemi investuar 4.074.000 euro në sistem të ujitjes, ku sipërfaqja e pajisur me ujitje deri më tani arrin 7.750ha”, ka treguar ministri Peci, duke shtuar se numri i fermerëve përfitues që do të kenë qasje në shërbime të ujitjes do të jetë 10 mijë e 754.
Ndër tjerash, ai ka treguar se MBPZHR-ja përmes financimit nga BE-ja me 10 milionë euro të Programit IPA 2020 do të vazhdojë me rehabilitimin dhe modernizimin e sistemit duke e zhvilluar sistemin automatik të menaxhimit (SCADA), për te rritur efikasitetin e shfrytëzimit të ujit dhe të rrisë prodhimtarinë bujqësore, duke i ulur kostot e prodhimit.
Ministri Peci ka treguar se përmes këtij investimi do të zgjerohet sipërfaqja ujitëse me tre mijë e 200 ha shtesë në nën-sistemin Radoniqi dhe një mijë ha shtesë në nën-sistemin Dukagjini.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë ka planifikuar që të investojë rreth 2.3 milionë euro në sistemin e ujitjes dhe për këtë qëllim iu është drejtuar përmes shkresës zyrtare të gjithë kryetarëve të komunave në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që t’i përkrahin ato me zhvillim të sistemit të ujitjes.