Armët amerikane do të ndihmojnë Ukrainën të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia, duke përfshirë Krimenë dhe Donbasin, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov.
“Ne do të çlirojmë të gjitha territoret tona, të gjitha, duke përfshirë Krimenë”, tha ai.
“Krimea është një objektiv strategjik për Ukrainën, sepse është territor ukrainas” shtoi Reznikov. “Por ne do të ecim hap pas hapi”.
Ministri i Mbrojtjes tha se hapi i parë do të ishte stabilizimi i situatës në terren për të parandaluar humbjet e mëtejshme kundër forcave ruse. Faza e dytë, tha ai, është shtyrja e forcave ruse në pozicionet e tyre përpara pushtimit më 24 shkurt.
Vetëm në fazën e tretë, tha ai për CNN, do të kishte diskutime me partnerët e Ukrainës “si të çlirohen territoret, përfshirë Krimenë”, tha Reznikov. Zyrtarët ukrainas thonë se nuk do të përdorin armët për të sulmuar Federatën Ruse, megjithatë, Ukraina nuk e konsideron Krimenë si territor rus.
Kur u pyet nëse përpjekja për të rimarrë Krimenë me mjete ushtarake do të provokonte më tej Rusinë — e cila e konsideron Krimenë si pjesë të Federatës Ruse — Reznikov tha se kjo nuk ishte një konsideratë.
“Nuk ka rëndësi. Sepse ata [rusët] do ta shohin atë në Kherson, do ta shohin në Zaporizhzhia, do ta shohin edhe në Mariupol… por këto janë toka ukrainase, dhe Krimea është gjithashtu tokë ukrainase, pa marrë parasysh”, tha ai./UBTNews/