UBT News

Ministri taliban mbron vendimin për ndalimin e arsimit universitar për gratë

Ministria e Arsimit të Lartë e talibanëve e ka mbrojtur vendimin për të ndaluar arsimin universitar për gratë – një vendim që shkaktoi reagim global dhe protesta brenda vendit.

Talibanët njoftuan në fillim të kësaj jave rreth vendimit. Ata thonë se deri te ky vendim erdhi pas mosrespektimit të interpretimit të kodit islamik të veshjes dhe ndërveprimit midis studentëve të gjinive të ndryshme.

Studentet femra u larguan nga kampuset të mërkurën dhe Ministria e Arsimit të Lartë tha se ndjekja e ligjeratave do të pezullohet deri në një vendim tjetër. Dhjetra gra u mblodhën jashtë Universitetit të Kabulit të enjten në protestën e parë më të madhe publike në kryeqytet që nga vendimi.

Në kryeqytet, dhjetra gra marshuan në rrugë, duke brohoritur për liri dhe barazi.

“Të gjithë ose asnjë. Mos keni frikë. Ne jemi bashkë”, kanë brohoritur ato.

Në një video që u publikua nga Associated Press, një grua tha se forcat e sigurisë talibane përdorën dhunë për të shpërndarë grupin.

“Gratë u rrahën dhe u goditën me kamxhik”, tha ajo mes tjerash.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken tha se talibanët po përpiqen t’i dënojnë gratë afgane “me një të ardhme të errët” duke ua ndaluar shkollimin./UBTNews/

Exit mobile version