Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë replikuar sot në Kuvendin e Kosovës. Përderisa, Haradinaj insistonte në pyetjen se a do të kryejë ministria pagesat për subvencionet për bujqit dhe fermerët, Peci e akuzoi Haradinajn se e ka dëmtuar imazhin e ministrisë më Nenad Rikallon ministër.
“Qeveria e re duket se e ka zor me e zotëru agjendën e vet, e në këtë zor të qeverisë së re janë gjendur keq edhe bujqit, fermerët. Ata e kanë pasur një pako të dakorduar financiare në dy rata. Ratën e parë e ka dhënë qeveria ‘Hoti’. Rata e dytë nuk u është paguar fermerëve, vreshtarëve. Njëkohësisht vreshtarëve, pemëtarëve e perimtarëve dhe fermerë janë shumë të shqetësuar që nuk u janë shpërndarë aplikacionet për subvencionet e rregullta në këtë vit. Në praktika ato shpërndahen në mars. A do t’i paguani ratën e dytë dhe a mund të shpejtoni në shpërndarjen apo ka edhe informata se ju do të ndërhyni në mënyrën se si do të ndahen këto subvencione. Këto nuk janë fjalë vec të mijat por i kam marrë prej shumë vreshtarëve, fermerëve”, ka thënë Haradinaj.
Po një përgjigje tjetër pati, Peci. Ai tha se brenga e vetme e Haradinajt është pse ai po takohet me ambasadorë.
“Unë po marrë pyetje me shkrim nga ju se pse po takohem me ambasadorë e spo i mathi çizmet. Unë takojë ambasadorin amerikan sepse është i rëndësishëm kontributi i USAID në sektorin e bujqësisë. E takoj ambasadorin gjerman sepse është e rëndësishme kontributi që ka dhënë Gizzi gjerman e që edhe janë tërhequr nga shumë projekte në të kaluarën sepse e kanë vlerësuar qeverinë shumë korruptive. E takoj ambasadoren suedeze sepse Suedia është një prej shembujve më të mirë të menaxhimit të pyjeve dhe me çështjet që kanë të bëjnë me energjinë. Mendoj që imazhi i Ministrisë së Bujqësisë është i rënduar dhe është ish-ministri juaj Rikallo që e ka humbur imazhin e Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë ai.
Mirëpo Haradinaj serish insistoi në pyetjen e tij, e për të cilën nuk mori përgjigje nga Peci.
“Sa të keni kohë takohuni. Ajo që po mungon është se a keni me pagu ratën e dytë sepse ata janë duke pritur që një kohë. A mos keni me ja u heq subvencionet. Unë më nuk ju bëjë pyetje por i keni në qafë bujqit”, tha Haradinaj.