Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, akuzoi partitë opozitare se qëndroi prapa grevës në arsim.
Në interpelancën ndaj tij në Kuvend të premten, Murati tha se pas anulimit të grevës, u shpërfaq fakti se SBAShK nuk përfaqëson mësimdhënësit.
“U shpërfaqën disa fakte. Fakti i parë që u shpërfaq është se kush qëndroi prapa këtij organizimi. E kemi pa sa e sa ditë që japin ultimatum, herë PDK, herë SBASHK-u, herë LDK-ja dhe në fund kallëzimin penal e dorëzoi PDK-ja në emër të SBASHK-ut. Pra u pa se kush ka qëndruar prapa këtij organizmi për të sabotuar punën e shtetit, për të lënë mbi 300 mijë fëmijë pa mësim, ishin këto partitë opozitare. U shpërfaq fakti se këto parti nuk janë pyetur fare kur ka nis greva. Mësimdhënësit nuk janë pyetur fare as kur janë dhënë ofertat e qeverisë. I vetmi rast kur mësimdhënësit u pyetën ishte për të dalë nga greva, e aty votuan me shumicë për të mos vazhduar ajo. Kjo është hera e vetme kur keni pyetur mësimdhënësit. U shpërfaq po ashtu se SBAShK nuk i përfaqëson mësimdhënies, pasi kur ishte koha për të hyrë në grevë mori vendim, mirëpo nuk i qëndrojë prapa me kompensim, përkundër se për vite të tëra kanë mbledhur miliona euro nga kuotimi prej mësimdhënësve”, tha ai.
Megjithatë, Murati tha se Thesari i Shtetit ka marrë gjitha veprimet për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, porsa të dorëzohen listat nga komunat.
“Thesari ka marrë gjitha veprimet, po besoj se deri sot në sesionin e fundit që është në orën 15:00 do të duhej të ishin përcjellë listat e konfirmuara. Mirë që u tha edhe këtu se komunat po konfirmojnë listat, pasi është tentuar që me këtë të ketë konfuzitet. Komunat duhet që t’i konfirmojnë listat që të jenë në përputhje me ligjin, përndryshe nuk mund të ekzekutohet pagesa”, shtoi ai.
Pas fjalës së ministrit Murati, përfundoi edhe interpelanca ndaj tij, mirëpo nuk pati kuorum për votimin e rezolutës së propozuar nga AAK-ja. Me këtë rast, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 16:30.