Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka vizituar sot punimet në magjistralen Podujevë – Prishtinë, ku është pritur nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputetë llapjanë, njofton Llapi.info.
Me këtë rast, Aliu është zotuar se do t’i intensifikojnë punimet në këtë rrugë për t’u kryer sa më parë. Kështu ka në një postim në Facebook, kreu i Komunës, Shpejtim Bulliqi.
“Sot kam pritur në takim Ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, me të cilin kemi biseduar për realizimin e projekteve infrastrukturore në Komunën e Podujevës”.
” Bashkë me ministrin Aliu kemi dalur në terren, të shoqëruar edhe nga drejtori komunal i Urbanizmit, Bujar Hasani dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Fevzi Jetullahu, si dhe katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, Fitim Haziri, Vendenis Lahu dhe Driton Hyseni fillimisht kemi inspektuar segmentin e rrugës magjistrale Prishtinë-Podujevë, ku kanë ngecur punimet në projektin e zgjerimit të kësaj rruge. Me këtë rast ministri Aliu u zotua se do të intensifikohen punimet në realizimin e këtij projekti.”
“Po ashtu vizituam edhe rrugën që shpie te Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc, e cila gjithashtu është shumë e dëmtuar dhe kërkohet intervenim i shpejtë në asfaltimin e saj. Gjithashtu vizituam rrugët në fshatrat Lluzhan, Letanc dhe Herticë të cilat janë asfaltuar më herët, por që punët nuk janë kryer si duhet”, ka shkruar Bulliqi.
Punimet për zgjerimin e rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë, ende nuk janë kryer, ani pse të njëjtat ka më shumë se pesë vjet që kanë nisur.
Zgjerimi dhe asfaltimi i saj është bërë pjesë-pjesë, ndërkohë që tashmë janë asfaltuar pak llote dhe kanë përfunduar vetëm 10 kilometra./Llapi.info