Jo vetëm që nuk ka arsye, por tashmë është absurde që Ura mbi lumin Ibër të mbahet e mbyllur.
Kështu, ka deklaruar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Krasniqi, këto komente i bëri në Komunën e Mitrovicës së Veriut në takim dhe bashkëbisedim me aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën ‘Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.
Sipas Krasniqit, hapja e Urës mbi lumin Ibër nuk është dhe nuk do të jetë kundër askujt.
“Ditëve të fundit është ngritur në diskutim publik edhe hapja për qarkullim të plotë e Urës mbi lumin Ibër. Dua të ritheksoj, ashtu siç thuhet edhe në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizim të kësaj ure , se ura mbi lumin Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në atë plan thuhet se rivitalizimi i saj do të kontribuoj shumë në lehtësimin e kontakteve të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut dhe kështu do të kontribuoj në shkëmbimin dhe mirëkuptimin. Konsideroj se jo vetëm që nuk ka arsye, por tashmë është absurde vazhdimi i mbajtjes së urës mbyllur. Sipas vet natyrës së urave edhe kjo urë duhet të jetë në shërbim të të gjithëve dhe hapja e saj nuk është dhe nuk do të jetë kundër askujt. Jemi të bindur që liria e lëvizjes dhe sundimi I ligjit nuk e rrezikon paqen dhe sigurinë, përkundrazi e sforcon atë”, ka thënë ministri Krasniqi.
Ndërsa, derisa ka folur për bashkëpunimin ndëretnik, Krasniqi ka thënë se ky diskutim i organizuar sot është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim dhe asnjë përjashtim.
Ministri Krasniqi, po ashtu deklaroi se çdo ditë e më shumë po dëshmohet që bashkëjetesa në Mitrovicën e Veriut është e mundshme sikurse në të gjitha vendet kudo në Kosovë
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se ky diskutim publik është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe pa asnjë dallim, e pa asnjë përjashtim. Çdo ditë e më shumë po dëshmohet që bashkëjetesa në Mitrovicën e Veriut është e mundshme sikurse në të gjitha vendet kudo në Kosovë. Mes nesh duhet të ndërtojmë sa më shumë ura të komunikimit e të thellojmë sa më shumë bashkëjetesën tonë. Qytetarët nga lagjja e boshnjakëve, qendra e qytetit, Kodra e Minatorëve, lagjja e Doktorëve, Suhudolli e të tjerë kanë përbërje etnike të ndryshme, por problemet dhe sfidat i kanë të njëjta, andaj duhet punë e përbashkët për t’i zgjedhur ato. Më lejoni të them se komuna juaj ka një kryetar të angazhuar maksimalisht dhe një nënkryetarë po aq të zellshme”, ka thënë ai.