UBT News

Ministri i Jashtëm ukrainas bën thirrje sërish për krijimin e zonës së ndalim-fluturimit të NATO-s

Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, bëri thirrje të hënën që NATO të zbatojë një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, duke thënë se avionët rusë po synojnë civilët.

“Forcat Ajrore Ruse dominojnë në qiell dhe vazhdojnë të bombardojnë qytetet tona dhe të vrasin shumë civilë”, tha Kuleba.

Zyrtarët e ShBA-së dhe NATO-s kanë refuzuar thirrjet e zyrtarëve ukrainas për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi, duke thënë se kjo mund të provokojë Rusinë, ndoshta duke tërhequr vendet e tjera evropiane dhe anëtarët e NATO-s në konflikt. ShBA dhe NATO kanë ofruar ndihmë të tjera ushtarake, duke përfshirë një marrëveshje të mundshme për dërgimin e avionëve në Ukrainë.

“Ne besojmë se refuzimi i idesë së zonës së ndalim-fluturimit bazohet në mungesën e besimit në fuqinë e NATO-s si aleancë. Sepse fuqia ushtarake e NATO-s është pakrahasimisht më e madhe sesa ajo ushtarake e Rusisë. Pra, pse Rusia do të guxonte të rrëzonte një avion të NATO-s, duke e ditur se është e dënuar, përfundimisht e dënuar, nëse fillon një luftë me NATO-n”, tha Kuleba.

Kuleba gjatë fundjavës i kishte kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të ndihmonte në luftën kundër barbarëve rusë. Ai postoi një foto në Twitter të dielën e një bombe të pashpërthyer, për të cilën tha se ra në një ndërtesë banimi në Chernihiv./UBTNews/

Exit mobile version