Sot presim disa vendime të rëndësishme dhe jo vetëm mesazhe politike, ndërkohë që ekzistojnë të gjitha arsyet për të vendosur sanksione tani, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, pas mbërritjes në Bruksel për Këshillin e Punëve të Jashtme.
“Ukraina është nën sulm që nga viti 2014 dhe ajo që po shohim tani është një operacion hibrid, me shtimin e trupave në kufijtë tanë, sulme kibernetike si dhe luftë informacionesh”, ka thënë Kuleba, raporton atsh.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin kanë rënë dakord në parim që të takohen dhe diskutojnë krizën e Ukrainës, sipas Élysée, pallati presidencial francez.
Presidenti francez, Emmanuel Macron i propozoi Putinit dhe Bidenit takimin mbi sigurinë e Evropës dhe stabilitetin strategjik”, tha Elysée në një deklaratë, ku të dy pranuan idenë e samitit në parim.
Propozimi i Macron parashikon edhe diskutime për të gjitha palët e interesuara.
“Përmbajtja e samitit do të vendoset nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov të enjten, si pjesë e bisedimeve të paraplanifikuara për krizën në Ukrainë”, sipas presidencës franceze.
“Samiti nuk do të mbahet nëse Rusia pushton Ukrainën”, tha Élysée.