Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom kërkoi sot zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, të arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në vizitën e tij në Kosovë të enjten, ministri suedez nënvizoi edhe nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pas takimit me homologen e tij nga Kosova, Billstrom, në konferencë për medie tha se palët duhet t’iu përmbahen zotimeve që i kanë marrë në dialog.
“Suedia mbështet dialogun dhe punën e kryer nga zotëri Borrell dhe përfaqësuesi Miroslav Lajçak. Kam lavdëruar po ashtu marrëveshjen e arritur, pas implementimin kjo do të lehtësojë situatën në pjesën veriore të Kosovës dhe të ketë një relaksim të situatës mes mardhënieve të Beogradit dhe Prishtinës… Të dy palët që e kanë nënshkruar marrëveshjen duhen t’i zbatojmë zotimet. Edhe në Beograd e kam potencuar se duhet të bëjnë edhe ata pjesën e punëve të tyre. Po ashtu, edhe në Prishtinë, nëse zotoheni për një marrëveshje natyrisht se duhet të përmbusheni. Në rastin e Serbisë duhet të riformulojnë nga pengesa që Kosovës që t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare, kjo është shumë e qartë. Këshilli i Evropës është një shembull. Në anën tjetër, edhe Kosovën duam të shohim t’i përmbush zotimet e saja që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha Billstrom.
Ai shtoi se Suedia e mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ne mbështesim procesin e integrimit të Kosovës, natyrisht edhe reformat këtu. Në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, ne do ta mbështesim si procedurë të rregullt”, deklaroi ai.
Në anën tjetër, Gërvalla foli për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, me ç’rast, tha se shpreson që shumë shpejtë aplikacioni të kalojë nga Komiteti i Ministrave në Asamblenë Parlamentare.
“Pritet që kërkesa jonë në një kohë jo të largët të kalojë nga Këshilli i Ministrave në Asamblenë Parlamentare, i cili është institucioni që do të duhej të verifikonte plotësimin e standardeve dhe kushteve nga ana e Kosovës. Ne jemi shumë optimist për një proces fer ndaj Kosovës dhe shpresojmë dhe presim që së shpejti të kemi lëvizje edhe në këtë drejtim. Ne jemi të gatshëm për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkojmë një anëtarësim meritor, nuk kërkojmë asnjë anëtarësim duke shkelur rregullat, por Kosova si shteti më demokratik në rajon të anëtarësohet në Këshill të Evropës”, theksoi Gërvalla.
Krahas kësaj, Gërvalla nënvizoi thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.
“Suedia ka një plan afatgjatë për bashkëpunimin me Kosovën dhe ky plan parasheh mundësi të shumta se si dy vendet tona do të mund të nxisin dhe intensifikojnë në të gjitha fushat”, tha ajo.
Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom gjatë vizitës në Kosovë u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ndërsa, ditë më parë, ai vizitoi edhe Serbinë.