“Kërcënimi i Kinës ndaj Tajvanit është më serioz se kurrë, por ishulli do të qëndrojë i vendosur për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë e tij”, kështu është shprehur ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, raporton CNN.
Mesazhi i Wu erdhi ndërsa ushtria e Kinës bëri me dije se ka nisur një stërvitje të re, duke sinjalizuar se aktiviteti rreth ishullit po vazhdonte pas një serie aksionesh të shpallura menjëherë pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi.
“Kina e ka kërcënuar gjithmonë Tajvanin për vite me radhë dhe po bëhet më serioze vitet e fundit. Pavarësisht nëse kryeparlamentarja Pelosi viziton Tajvanin apo jo, kërcënimi ushtarak kinez kundër Tajvanit ka qenë gjithmonë aty dhe ky është fakti me të cilin duhet të merremi”, tha Wu.
Wu tha se Tajvani nuk do të frikësohej, edhe pse stërvitjet ushtarake të Kinës vazhdojnë.
“Kina ka përdorur stërvitjet për t’u përgatitur për pushtimin e Tajvanit. Po kryen stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë, lëshime raketash si dhe sulme kibernetike, një fushatë dezinformimi në një përpjekje për të dobësuar moralin publik në Tajvan”, theksoi Wu duke kërkuar mbështetjen ndërkombëtare për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.
Udhëtimi i Pelosit në Tajvan, e para nga një kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në ishull në 25 vjet, u kundërshtua ashpër nga Partia Komuniste në pushtet e Kinës, e cila e sheh Tajvanin si territorin e saj, pavarësisht se nuk e ka kontrolluar kurrë.