Mediat e huaja raportojnë se dërgesat e grurit nga porti i Detit të Zi të Ukrainës, Berdyansk, do të rifillojnë këtë javë. Raportohet se kjo është arsyeja e takimit mes ministrit të jashtëm të Rusisë me zyrtarë turq. Më saktësisht thuhet se biseda mund të përqendrohet në një plan që mund t’ia mundësojë Ukrainës të eksportojë grurin e saj.
Turqia është e përfshirë në përpjekjet për krijimin e një mekanizmi të udhëhequr nga Organizata e Kombeve të Bashkuara që do të krijonte një korridor të sigurt për dërgimin e grurit ukrainas – dhe për Rusinë për të eksportuar ushqime dhe plehra.
Turqia do të lehtësojë dhe mbrojë transportin e grurit në Detin e Zi, kanë thënë zyrtarët në Ankara. Ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar tha se detajet teknike janë ende duke u diskutuar.
Ukraina është një prej eksportuesve më të mëdhenj të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por lufta dhe bllokada ruse e porteve të saj ka ndalur pjesën më të madhe të këtij fluksi, duke rrezikuar furnizimet ushqimore në të gjithë botën./UBTNews/