UBT News

Ministri i Jashtëm austriak: Evropa të tregohet e kujdesshme, Moska mund të destabilizojë rajonin

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schalenberg ka thënë se sulmi i Rusisë në Ukrainë duhet të zgjojë Bashkimin Evropian lidhur me procesin e anëtarësimit.

Ai ka thënë se Kosovës duhet t’i jepet sa më parë liberalizimi i vizave për çka tha se ai vet do të bëjë thirrje. Schalenberg ka folur pas takimit me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, me të cilën kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Për këtë proces, diplomati austriak tha se nuk duhet të vihet në dyshim se duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Ministri i Jashtëm i Austrisë tha se Rusia mund të krijojë shqetësime dhe të destabilizojë rajonin, për çka theksoi se Evropa duhet të jetë e vëmendshme.

“Ne duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë që të bëjë destabilizim të rajonit, vetëm me një gjuajte të lëshuar, ata mund të krijojnë shqetësime, mund të destabilizojnë rajonin dhe kjo gjë na rreh neve zilet e alarmit. Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është vërtetë një thirrje për të zgjuar Bashkimin Evropian për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE, dhe kjo gjë nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme se tani, dhe premtimi që është dhënë para 19 viteve në Selanik, ky premtim është më i rëndësishëm tani që të zbatohet, të mbajmë këtë premtim, pra të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mirëpo edhe të behët liberalizimi i vizave për Kosovën. Jeni shteti i vetëm i cili është pjesë e programit i cili ende nuk e ka liberalizimin e vizave, natyrisht që edhe në samitin e radhës do të shpreh këtë gjë”, tha ai.

Ndërsa lidhur me draftin me propozime për afrimin e shteteve kandidate me BE-në, ai duhet të arrihet eksportimi i vlerave evropiane, në të kundërtën sipas tij do të ketë konfrontim me modele të tjera të jetesës.

“Kemi vërejtur në tërë rajonin zhgënjim, frustrim sepse herën e parë jemi konfrontuar edhe me pyetje edhe me shtetin fqinj Serbinë, i cili popullaritetin për Bashkimin Evropian dhe neglizhimin e ka më të madh. Por për ne në Bruksel duhet të bien zilet në këtë drejtim, pra ideja e kësaj shkrese, këtij dokumenti është qasja e Austrisë sesi mund të jetësojë këtë proces, si mund të vë në jetë këtë procesin e anëtarësimit. Pra ne nisemi nga shabllonet e vjetra e cila parasheh anëtarësimin e plotë dhe pagesën e asociimit, mirëpo këto nuk funksionojnë, mirëpo ata mund të thonë ‘po, ne gjatë procesit të anëtarësimit këtu mund të bëjmë hapa konkret që njerëzit të kuptojnë dhe të jetë e ditur që bëhet për anëtarësim të plotë…E kam thënë edhe më herët, nuk ka vakum, ose ja dalim që vlerat tona evropiane t’i eksportojmë ose dikur, posaçërisht në Evropën Juglindore do të konfrontohemi me modele të tjera të jetesës, kjo nuk është në qëllimin tonë sepse kjo gjë do të bëhej pastaj e rrezikshme”, tha ai.

Ndërsa ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se nevojiten veprime konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Austria dhe Kosova ndajnë qëndrimin që koha e të folurit rreth integrimit në BE duhet zëvendësuar me veprime konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Andaj në një fazë të tillë historike, të riorientimit të arkitekturës gjeopolitike evropiane të sigurisë duhet ndërmarrë hapat e nevojshëm për të evituar gabimet që mund të ndodhin nëse nuk veprojmë por hezitojmë. Me homologun Schallenberg folëm edhe për dialogun që Republika e Kosovës po e zhvillon me Serbinë rreth njohjes së ndërsjellë. Duke vënë në pah edhe propozimet tona shumë konkrete, nënvizova gatishmërinë dhe seriozitetin tonë në këtë proces i cili do të mund të përfundonte shumë shpejtë nëse Serbia do të hiqte dorë nga pozicioni i saj për bllokimin e procesit”, tha Gërvalla.

Exit mobile version