Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, ka filluar aktivitetin e saj me shumë pjesëmarrës të cilët do të kenë mundësi të përfitojnë nga ekspertë dhe profesionistë të kësaj fushe, përmes ligjëratave dhe aktiviteteve interesante që do të sjellë kjo akademi verore.
Fillimisht, Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, ka nisur me vizitën e ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, i cili është pritur nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, nga ku vizituan kampuset e UBT-së, si dhe realizuan një bisedë të frytshme në kuadër të “Global UBT Fest 2021”.
ANV e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, ka vazhduar me profesorin Bekim Çeko, i cili ka mbajtur ligjëratë për studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë rreth dritës në arkitekturën vernakulare, ku ndër të tjera ka shpjeguar rolin dhe rëndësinë që ka drita në këtë lloj të stilit të ndërtimit, teksa profesori në UBT, Zekë Islamaj ka shtjelluar më shumë për të pranishmit rreth ndriçimit zenital në arkitekturë.
ANV e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, ka vazhduar aktivitetin e saj me ligjëratën e profesorit Ramë Hamzaj, i cili ka shtjelluar për pjesëmarrësit një temë shumë të rëndësishme, e që ndërlidhet me ndriçimin dhe dritën në apartamente me shumë familje.
Tutje asistentët, Blend Dema dhe Shkurte Dalipi kanë ligjëruar për studentët dhe pjesëmarrësit temën: “Tiny House in Prishtina”, duke ndarë me të pranishmit gjetje dhe informacione më të detajuara rreth kësaj teme, që ngjalli interes tek studentët pjesëmarrës, përderisa Bashkim Shala ka mbajtur një ligjëratë rreth rinovimit arkitektonik përmes ndriçimit.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, do të vazhdojë me aktivitete dhe tema të ndryshme, të cilat do t’i kontribuojnë fushës së arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, dhe do të jenë një bazë shumë e mirë e hulumtuesve si vendas ashtu edhe ndërkombëtarë.