Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jan Lipavsky, gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd, ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e angazhimit konstruktiv të të dyja palëve për arritjen e një zgjidhje afatgjate.
Në një intervistë Lipavsky nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është një kusht kyç për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.
“Situata në Kosovë dhe marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e të gjithë rajonit. Ne presim që ky dialog të çojë në një normalizim të plotë të marrëdhënieve, pasi kjo është jetike për përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët dhe për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor,” tha Lipavsky.
Ministri çek nënvizoi se disa çështje të ndjeshme, si dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk mund të anashkalohen dhe se Republika Çeke do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për këtë proces. Ai vuri në dukje se angazhimi i përgjegjshëm dhe konstruktiv i të dyja palëve është thelbësor për të ecur përpara./UBTnews/