Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare në rastin ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të akuzuarve tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Trupit Gjykues Alban Ajvazi fillimisht i ka shprehur ngushëllime ministrit Aliu për vdekjen e vëllait.
Prokurorja e cila e ka ngritur aktakuzën, Dulina Hamiti gjatë leximit të aktakuzës ka thënë së të akuzuarit e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që nuk e kanë respektuar planin zhvillimor urban të MMPH-së.
Përderisa Aliu është deklaruar i pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte drejtor në komunë e Prishtinës.
“Jo nuk e pranoj fajësinë”, tha si.
Njëjtë janë vepruar edhe të akuzuarit e tjerë, duke hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë.
Kurse me 7 qershor do të mbahet shqyrtimi i dytë në ora 10:00.
Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.Reklamë
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Në pikën e dytë të kësaj aktakuze, Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi po akuzohen edhe se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës nuk kanë zbatuar vendimin nr. A-231/2017 të datës 06.09.2017 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë A.Nr.1827/17 të datës 08.11.2017, dhe të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin A.nr 514/2017 të datës 30.11.2017 të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilët Aktvendime refuzohet i pabazuar propozimi i paditësit Komuna e Prishtinës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me numër A-231/17 të datës 06.09.2017, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore, nga neni 402 par 2 lidhur me par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.