Ministrat e Mbrojtjes nga vendet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian po takohen në Gjermani për të diskutuar ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën. Takimi po mbahet në Bazën e Forcave Ajrore amerikane në Ramstein.
Të hënën, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, i cili po kryeson takimin, tha se Uashingtoni dëshiron ta shohë dobësimin e Rusisë deri në pikën ku ajo nuk do të jetë më e aftë për një pushtim si në Ukrainë.
Para takimit, u raportua se Gjermania do të zotohej të furnizojë Ukrainën me sisteme kundërajrore. Gazeta Suddeutsche Zeitung raportoi se ministri gjerman i mbrojtjes do të ofrojë armë në takimin e së martës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky muaj me radhë u ka kërkuar aleatëve perëndimorë më shumë armë./UBTNews/