Ministrat evropianë të financave do të takohen të martën në Luksemburg për të diskutuar vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë pas raporteve për krime të dyshuara lufte në Bucha.
“Ne kemi imazhe të reja nga satelitët mbi atë që po ndodhë, çfarë po ndodhte në Bucha. Dhe ne duhet të reagojmë”, tha të martën Paolo Gentiloni, Komisioneri Evropian për Ekonominë. Ai përsëriti se “asgjë nuk është jashtë tryezës”.
Ministri francez, Bruno Le Maire tha se sanksionet e naftës dhe qymyrit “janë një mundësi”.
Le Maire tha se nuk ishte i sigurt se cili do të jetë pozicioni i 27 vendeve anëtare, por tha se ai mendon se ekziston “vendosmëria totale” e të gjitha vendeve anëtare për të “zbatuar sanksionet”.
Ministrja lituaneze, Gintare Skaiste bëri thirrje gjithashtu për marrjen e sanksioneve në një nivel tjetër, duke shkurtuar Rusinë nga burimet e saj kryesore të të ardhurave – sektori i saj i energjisë.
“Unë mendoj se ne duhet të shkurtojmë blerjen nga Rusia, naftë, gaz dhe qymyr, dhe Lituania është vendi i parë në Bashkimin Evropian që i thotë lamtumirë gazit rus”, tha Skaiste.
Ajo shtoi se mbyllja e porteve dhe rrugëve për mallrat ruse dhe shkëputja e Gazprombank nga SWIFT duhet gjithashtu të merret në konsideratë.
Gazprombank përdoret nga blerësit e huaj për të paguar blerjet e gazit rus.
BE-ja pritet të shpallë sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë që në fillim të kësaj jave dhe të punojë për të si “çështje urgjente”.
Ministri i Financave i Gjermanisë, Christian Lindner, tha të hënën se ndërprerja e furnizimit me gaz nuk ishte e mundur për momentin. “Ne kemi nevojë për pak kohë dhe kështu duhet të bëjmë dallimin midis naftës, qymyrit dhe gazit për momentin” shtoi ai./UBTNews/