Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç njofton mbajtjen e një konference të rëndësishme me kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev më 29 qershor në kuadër të iniciativës së ashtuquajtur “minishengeni” rajonal.
Kreu i Shtetit serb paralajmëroi arritjen e disa marrëveshjeve të përbashkëta që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve siç janë ato të lejeve të punës, qarkullimit të mallrave, njerëzve etj.
“Dua të njoftoj se më 29 qershor do të kemi një video konferencë të rëndësishme me Kryeministrat e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Brenda kornizës së iniciativës sonë rajonale, të cilën shumë e quajnë “mini Shengen”, vazhdojmë të përmirësojmë marrëdhëniet tona.
Ne besojmë se do të marrim vendime përfundimtare për veprime të përbashkëta kundër katastrofave natyrore në territorin e vendeve tona, besoj se së bashku do të mundësojmë qarkullimin e mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Dhe ajo që ka një rëndësi të madhe për ne është i ashtuquajturi sistemi i lejeve të punës, ku ai që merr një leje në territorin e njërit prej këtyre tre vendeve do të ketë një leje pune për secilin nga vendet, e cila ka një rëndësi të madhe”, shkruan Vuçiç.