Iniciativa rajonale “Mini-Shengen” nga sot do të quhet “Open Balkan”.
Emërimin e ri e zyrtarizuan kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ai shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq në fund të Forumit Ekonomik Rajonal në Shkup.
Të tre liderët ballkanikë kanë nënshkruar disa memorandume për bashkëpunim në mes të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan Klankosova.tv.
Marrëveshja e parë për bashkëpunim ka të bëjë me gatishmërinë për të mbështetur shtetet për ndihmë të ndërsjelltë në rastet e katastrofave natyrore.
Memorandumi i dytë i mirëkuptimit synon lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, eliminimin e barrierave në kufij dhe kontribuimin për bashkëpunim të përmirësuar ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimit tregtar.
Memorandumi i tretë që u nënshkrua sot nga Zaev-Rama dhe Vuçiq ka për qëllim lehtësimin e tregut të fuqisë së punës duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të rajonit për t’iu mundësuar qasje më e shpejtë dhe më e lehtë në tregun e punës, lehtësimi i procesit të dhënies së lejeve të punës dhe atyre për qëndrim të përkohshëm.