Minatorët e minierës së Trepçës në Stantërg, të cilët të martën kanë hyrë në grevë për shkak të pjesës së mbetur të pagave (55 për qind të pagës bazë), kanë vazhduar grevën edhe të mërkurën, përkundër faktit se atyre u janë ekzekutuar sot pagat. Ata përveç pagave, po kërkojnë shkarkimin e kryeshefit dhe sigurime shëndetësore.
Fehmi Hajredini, minator, tha se është në grevë për më shumë se 24 orë dhe se nuk do ta ndërpresë grevën deri në realizimin edhe të kushteve tjera, përkatësisht, dorëheqjes së menaxherit dhe sigurimit shëndetësor për punëtorët.
‘Në grevë jemi më shumë se 24 orë… Kërkesat tona janë pagat, dorëheqja e menaxherit dhe sigurimi shëndetësor… Për momentin gjendja shëndetësore e minatorëve nuk është e keqe, përveç dy minatorëve që është dashur ta braktisin grevën, për shkak se kishin shëndet më të rënduar.. Prej menaxhmentit askush s’na ka vizituar përveç stafit menaxhues të minierës që janë këtu prezentë… Pa u realizuar kërkesat tona jo (nuk do ta ndërpremë grevën edhe nëse bëhen pagat v.j.) nuk është tash puna vetëm te pagat”, ka thënë Hajredini.
Ndërkaq, edhe Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së minatorëve të Trepçës në Stantërg, ka konfirmuar për KosovaPress, se kërkesat e minatorëve janë më të mëdha sesa pagat, duke përmendur largimin e kryeshefit ekzekutiv si njërën ndër këto kërkesa. Sipas tij, shqetësimi më i madh i minatorëve është se askush nga qeveria dhe as nga bordi nuk i ka vizituar ata deri tani.
“Tani në këto momente që po flasim, kemi informacione se kanë dalë pagat… Mirëpo, kërkesat tona janë shumë më të mëdha sesa pagat… Kërkesat tona janë që të largohet kryeshefi ekzekutiv, sepse e shohim si fajtor për këtë situatë që dy vjet që ka ardhur… Fakti më i madh që na shqetëson neve është se askush nga qeveria, as nga bordi dhe as nga menaxhmenti nuk ka ardhur të na vizitojë dhe komunikojë me ne”, theksoi Januzi.