Historianët Paskal Milo dhe Nevila Nikaj e shohin të domosdoshme rishikimin e historisë për shkak se në disa çështje janë mbajtur qëndrime të njëanshme. Z. Milo përmendi prishjen e Marrëveshjes së Mukjes si një ngjarje që meriton të trajtohet ndryshe. Ai tha se ishte Partia Komuniste që e prishi pakti për shkak të presionit që erdhi nga jugosllavët nisur nga fakti se në dokument përmendej Shqipëria Etnike.
“Duhet të pranojmë që Marrëveshjen në Konferencën e Mukjes e prishi Partia Komuniste për shkak të presionit të madh të Vukmanoviç Tempo, një nga udhëheqësit komunist jugosllav që erdhi në Shqipëri 2-3 herë dhe i bëri presion Enver Hoxhës dhe udhëheqjes shqiptare komuniste për të anuluar marrëveshjen sepse atje kishte një pikë ku thuhej që jemi dakord për Shqipërinë Etnike. Por të thotë në 1943 që jemi dakord për Shqipërinë Etnike, në një kohë kur Partia Komuniste jugosllave lëkundej në atë kohë, e pranonte në parim por jo në praktikë”, tha z. Milo.
Historiani Milo gjithashtu thekoi se është e dokumentuar se kanë qenë Komunistët të cilët kanë nisur Luftën Civile në vend.
“Janë letra shumë të qarta të Enver Hoxhës të 1 tetorit të 1943 që ia drejton komiteteve qendrore dhe në mënyrë të veçantë Gjirokastrës dhe Vlorës, ku thotë se tani me Ballin mbaruam, i bini Ballit, asgjësoni Ballini. Është shumë e qartë se kush e ka filluar përplasjen me armë”, tha ai.
Historiania Nevila Nikaj u shpreh se rishikimi i historisë është i nevojshëm sidomos për periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare dhe sidomos përplasjen e madhe mes Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar.
Znj. Nikaj tha se Balli Kombëtar nuk ishte një formacion i organizuar si Komunistët pasi këta të fundit ishin më të mirë organizuar për shkak të mbështetjes së jugosllavëve.
Për Enver Hoxhën, ajo tha se është një figurë komplekse ndërsa foli për ekzistencën e dokumenteve që dëshmojnë krimet e kryera drejtpërdrejtë prej tij.
“Në aksionin për spastrimin e Veriut të Shqipërisë nga armiqtë nisur nga disa mbetje të ushtrisë italiane dhe gjermane. Janë rreth 200 radiograme dhe telegrame të shkëmbyer mes këtyre komandantëve dërguar Tiranës dhe përgjigjeve që vijnë nga Enveri. Në shumicën dërrmuese është përgjigja e Enverit ku thotë të ekzekutohet, të vritet të vazhdohet.