UBT News

Millie Bobby Brown reagon ndaj mediave që sulmojnë pamjen e saj

Millie Bobby Brown ka shprehur sërish pakënaqësinë e saj për mënyrën se si mediat komentojnë pamjen e saj.

Aktorja e njohur për rolin në “Stranger Things”, ka kritikuar gazetat për tonin denigrues në artikujt që fokusohen te pamja dhe stili i saj.

Në një intervistë për British Vogue, Brown e quajti këtë sjellje “një formë ngacmimi publik” dhe theksoi se nuk i detyrohet askujt një falje për mënyrën se si duket apo shpreh veten.

Aktorja kujtoi se muaj më parë kishte shpërthyer në lot pas disa titujve që talleshin me pamjen e saj gjatë promovimit të filmit të Netflix-it, “The Electric State”. Me ironi, ajo tha: “Qaja çdo ditë kur shihja tituj si: ‘Çfarë i ka bërë fytyrës? Pse është bërë bjonde? Duket 60 vjeç!’”

Brown shtoi se, edhe pse respekton gazetarinë, dënon mënyrën toksike të disa mediave që përqendrohen te pamja dhe jo te puna e artistëve.

“E kuptoj që paparacët janë pjesë e punës, por mos më ‘vrisni’ me titujt. Kjo është ngacmim, veçanërisht për vajzat e reja që hyjnë në këtë industri dhe fillojnë të dyshojnë tek vetja,” tha ajo.

Aktorja kujtoi një moment të vështirë gjatë BRIT Awards, kur shpërtheu në lot pas skenë, pak para se t’i dorëzonte një çmim Sabrina Carpenter. “Qava me dënesë, por kur pashë Sabrinën, më kujtoi të mos lejoj askënd të më thyejë shpirtin. Më dha forcë,” rrëfeu Brown.

Për të përballuar kritikët, Brown vendosi të postojë një video në Instagram: “Nëse të shqetëson që jam bjonde apo mbaj më shumë grim, do ta përballoj unë – jo vetëm për veten, por për çdo vajzë që dëshiron të eksperimentojë me pamjen e saj.”

Në fund ajo u shpreh: “Është shqetësuese që redaktorë të rritur shpenzojnë kohën duke analizuar fytyrën, trupin e zgjedhjet e mia. Akoma më keq kur këto artikuj shkruhen nga gra. Flasim për fuqizim të femrave, por i shkatërrojmë për klikime. Unë refuzoj të kërkoj falje që jam rritur e jetoj sipas kushteve të mia. Nuk do të turpërohem për mënyrën si dukem, si vishem a si prezantoj veten.” /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version