UBT News

Milkoviqi dënohet me 2 vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë

Lubisha Milkoviq është dënuar me dy vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë për ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan, ku ai akuzohej për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Milkoviq ka pranuar fajësinë pas arritjes së një marrëveshjeje me Prokurorinë Speciale, marrëveshje që përfshin veprat penale “sulm” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale apo huliganizëm”.

Unë e pranoj fajësinë dhe e pranoj marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, deklaroi i pandehuri gjatë seancës.

Avokati i tij, Milosh Deleviq, konfirmoi se marrëveshja është arritur me vullnet të lirë dhe pas konsultimeve të mjaftueshme mes palëve. Ai propozoi që Milkoviq t’i mundësohet pagesa e gjobës me këste gjatë një periudhe dyvjeçare.

Prokurori Bekim Kodraliu sqaroi se marrëveshja parasheh dënim prej dy vjetësh burg, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim, ndërsa gjashtë muaj të dënimit zëvendësohen me gjobën prej 14 mijë eurosh.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, konstatoi se kushtet ligjore për miratimin e marrëveshjes së fajësisë janë plotësuar dhe se ajo mbështetet në prova të mjaftueshme.

Aktgjykimi pritet të shpallet brenda pak kohësh./UBTNews

Exit mobile version