Miliona njerëz rreth Indisë dhe Bangladeshit janë prekur nga përmbytjet vdekjeprurëse dhe rrëshqitjet e dheut si pasojë e të cilave kanë mbetur të vdekur 100 njerëz dhe komunitete të tëra janë shkatërruar.
Kombet e Azisë Jugore, shtëpia e më shumë se 1.3 miliard njerëzve, janë goditur veçanërisht keq nga shirat, duke shkaktuar disa nga përmbytjet më të këqija në rajon ndër vite, pasi ngjarjet ekstreme të motit bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të krizës klimatike.
Në Indi së paku 48 njerëz kanë vdekur që nga 14 qershori, pas shirave të dendur që goditën shtetin verilindor të Assam, sipas autoritetit për menaxhimin e fatkeqësive. Shirat e dendur shkaktuan rrëshqitje të dheut. Vetëm në Indi, 5.5 milionë njerëz janë prekur nga kjo situatë.
Kryeministri i Asamit, Biswa Sarma, të martën vizitoi një nga 1 mijë e 687 kampet e ndihmës, që po strehon mbi 260 mijë njerëz të zhvendosur nga vendi.
“Qeveria jonë së shpejti do të hapë një portal për njerëzit e prekur që të regjistrojnë humbjen e bagëtive dhe dëmet e tjera të shkaktuara nga përmbytjet”, shkroi ai në Twitter.
Një paketë e ndihmës për përmbytjet do të shpallet së shpejti.
Në shtetin fqinj, Meghalaya, së paku 25 njerëz kanë vdekur që 9 qershori, 11 janë zhdukur dhe 22 të tjerë janë lënduar.
Videoja e transmetuar në televizionin lokal shfaqte njerëz në qytetet e prekura të zhytur thellë në ujë me baltë dhe rrugë të kthyera në lumenj, me automjete të zhytura nën ujë.
Në Bangladeshin fqinj, si pasojë e goditjeve elektrike dhe rrëshqitjes së tokës, kanë mbetur të vdekur të paktën 22 persona, sipas informacioneve zyrtare.
UNICEF njofton se rreth 4 milionë njerëz, përfshirë 1.6 milion fëmijë, janë bllokuar nga përmbytjet./UBTNews/