UBT News

Miliarderi izraelit shpreson në paqe pavarësisht vrasjes së të bijës

Danielle Waldman shijoi vallëzimin e saj të fundit para agimit të 7 tetorit. Pas atij momenti ajo dhe miqtë e saj duhej të mbronin jetërat e tyre, por nuk ia dolën të kthehen në shtëpi.

Është një regjistrim i momenteve të saj të fundit – një video e shkurtër e realizuar me telefon. Videoja ofron një aluzion të momenteve të tmerrshme që do të pasojnë.

24-vjeçarja ishte e ulur në ulëse mbrapa me dy shoqet e saj. Të trija veshur thjesht. Ka buzëqeshje dhe zëra të ëmbël, dhe një vështrim i bandave blu në kyçin e dorës nga festivali i muzikës Supernova trance që sapo kanë marrë pjesë. Ato po mundohen të qëndrojnë të qetë, por po gjurmohen. Dhe me një bisedë të saj me të dashurin, Noamin, mbyllet regjistrimi.

Disa minuta më vonë persona të armatosur të Hamasit gjuajtën veturën me plumba. Noam, Danielle dhe miqtë e tyre në ulëset mbrapa u vranë – ashtu siç u vranë afërsisht edhe 360 izraelitë të tjerë që shkuan në këtë festival në shkretëtirën Negev afër kufirit me Gazën.

Kur dielli perëndoi atë ditë, 1 mijë e 200 izraelitë ishin therur – qoftë në festival ose në shtëpitë e tyre afër kufirit. Ishte humbja më e rëndë e jetës hebreje në një ditë të vetme që nga Holokausti. Shumica dërrmuese ishin civilë. Që atëherë, Izraeli ka shkuar në luftë në Gaza “për të zhdukur Hamasin”, dhe palestinezët nga ana e tyre janë masakruar. Në Gaza tani, si në Izrael pas 7 tetorit, prindërit varrosin fëmijët e tyre. Dhe për çdo prind, palestinez apo izraelit, humbja është e pakrahasueshme.

Babai i Danielles, miliarder i teknologjisë, i cili themeloi kompaninë izraelite për krijimin e çipave – Mellanox Technologies, e shiti atë për 6.8 miliardë dollarë në vitin 2019. Ai po e vuan humbjen e vajzës së tij.

“Ishte e mrekullueshme. I pëlqente vallëzimi. I donte kafshët. I donte njerëzit. Kishte shumë miq”, deklaroi ai mes tjerash.

Kur e kuptoi se Danielle u zhduk, ai u kthye nga udhëtimi i tij prej Indonezisë, mori leje për të udhëtuar drejt Izraelit – edhe pse vija ajrore ishte mbyllur. Tri orë më vonë nisi kërkimin e saj, duke e gjurmuar përmes orës apple. Ishte një udhëtim drejt fushëbetejës. Ai gjeti makinën e mbushur me plumba, por nuk kishte asnjë shenjë të Danielles.

“Kishte shumë gjak brenda në veturë. Shpresoja që ajo mos të jetë brenda në veturë ose që ajo të jetë plagosur, porse ia doli të largohej ose të jetë marrë peng”.

Dy ditë më vonë u gjet trupi i saj i pajetë.

“Ajo na preku me buzëqeshjen e saj. Nuk e ka lënduar askënd. Asaj i pëlqente të merrej me aktivitete. Dhe Hamasi e vrau pa ndonjë arsye”.

Pavarësisht vrasjes së të bijës, Eyal Waldman ende beson se palestinezët duhet të kenë shtetin e tyre – dhe atë së shpejti.

“Duhet të ndryshojmë lidershipin nga të dyja palët. Dhe pastaj shpresoj se pas dy deri në katër vjet do të jemi në gjendje të arrijmë paqen dhe të ndërtojmë dy shtete për të dy njerëzit dhe të jemi në gjendje të jetojmë së bashku pranë njëri-tjetrit”, thotë ai.

Por para kësaj, ai dëshiron diçka tjetër. “Kushdo që ishte përgjegjës, kushdo që ishte i lidhur me atë që ndodhi më 7 tetor 2023, do të eliminohet. Dhe ne do të kujdesemi për këtë”, thotë ai me vendosmëri.

“Ne e dimë saktësisht se kush erdhi, kush përdhunoi, kush theri. Ne kemi video, kemi numrat e tyre. Ne e dimë se kush janë ata. Ne mund t’i eliminojmë ata. Dhe unë mendoj se mund ta eliminojmë Hamasin”.

Ish-oficeri i ushtrisë izraelite di për luftën. Ai shërbeu në një njësi elitare – Brigadën Golani. Ai gjithashtu di për ndërtimin e urave. Në të kaluarën ai hapi një qendër dizajni në Gaza, dhuroi 360 mijë dollarë për ndërtimin e një spitali dhe krijoi vende pune për palestinezët si në Rripin e Gazës ashtu edhe në Bregun Perëndimor./UBTNews/

Exit mobile version