UBT News

Miley Cyrus drejt rikthimit në shtëpinë e saj të rindërtuar në Malibu

Shtatë vite pas shkatërrimit të shtëpisë së saj në Malibu, këngëtarja e njohur Miley Cyrus ka zbuluar se procesi i rindërtimit është pothuajse i përfunduar.

Në një intervistë me Pamela Anderson për CR Fashion Book, 32-vjeçarja tha se brenda pak javësh do të mund të rikthehet të jetojë aty.

“Kam qenë duke punuar për rindërtimin,” rrëfeu Cyrus. “E humba shtëpinë time në zjarrin Woolsey Fire dhe prej pesë vitesh po e ndërtoj nga e para. Tani, duket se do të jetë gati për mua shumë shpejt.”

Banesa që ndante dikur me ish-bashkëshortin Liam Hemsworth, u shkatërrua më 2018, teksa Miley ndodhej në Afrikën e Jugut për xhirimet e serialit Black Mirror. Çifti u martua pak muaj më vonë, por rrugët e tyre u ndanë në vitin 2019.

Megjithëse humbja ishte e dhimbshme, këngëtarja e Flowers e ka quajtur këtë përvojë një “bekim të madh”.

“Kur më dogji shtëpia, në fakt ishte një nga bekimet më të mëdha të jetës sime,” tha ajo në një event në maj. “Më dha mundësinë të rindërtoj gjithçka me qëllim dhe vetëdije – nga sendet në shtëpi deri te njerëzit në jetën time.”

Shtëpia në Malibu ka një domethënie të veçantë për Cyrus, pasi aty regjistroi albumin e saj të parë si artiste solo. Në një video në TikTok gjatë vitit 2023, ajo kujtoi: “Ai vend kishte magji. Ndryshoi jetën time.”

Ngjarja ka lënë gjurmë edhe në artin e saj. Në një intervistë pranoi:“Mund të këndoj më mirë që pas zjarrit. Ishte sikur çliroi diçka tek unë.” /A.Z/UBT News/

Exit mobile version