Sekretari Gjeneral i Organizatës Botërore të Doganave (OBD), Kunio Mikuriya ka thënë se kjo organizatë është e interesuar për të parë ekonominë kosovare në një tregti më globale dhe në sistemin e doganave botërore.
Mikuriya në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, theksoi se dogana e Kosovës mund të ofrojë mbështetje më të madhe për Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla dhe për zhvillimin ekonomik. Ai tha se në vazhdimësi do ta monitorojnë progresin e Doganave në Kosovë për shkak siç tha ai do të rezultojë në të hyra dhe konkurrueshmëri më të madhe ekonomike.
“Doganat kanë bërë një përparim sa i përket zbatimit të standardeve të përgjithshme. Ne jetojmë në një botë digjitale dhe Doganat e Kosovës janë të përkushtuara në zbatimin e digjitalizimit përmes programit të dritares së vetme. Ajo çka është me rëndësi, ne kemi biseduar është mbështetja e vazhdueshme politike për reformat doganore. Kështu që ne po shikojmë se si të ofrojmë kapacitete mbështetëse për burimet njerëzore në dogana, e cila do mundësoj edhe më tutje mjedisin biznesor. Doganat mund të ofrojnë mbështetje për Ndërmarrjet Mesme dhe të Vogla dhe për zhvillimin ekonomik. Ne kemi dëshirë me parë ekonominë kosovare në një tregti më globale dhe në sistemin e doganave përmes anëtarësimit dhe bashkëpunimit”, theksoi ai.
Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se e ka njoftuar sekretarin Organizatës Botërore të Doganave (OBD), Mikuriya, për reformat që po bën shteti i Kosovës për në aspektin doganor. Ai tha po ashtu se Kosova ka shënuar progres viteve të fundit në rritjen e inkasimit të të hyrave nga doganat, e po ashtu edhe për luftën kundër kontrabandës.
“Gjatë takimit e njoftova sekretarin për arritjet që kemi pasur gjatë viteve të fundit në rritjen e inkasimit të të hyrave nga doganat, e po ashtu edhe për luftën tonë të suksesshme kundër kontrabandës dhe aktiviteteve ilegale në gjithë territorin e vendit gjë që po ashtu ka rezultuar edhe me të hyra më të larta. E njoftova po ashtu edhe për performancën e mirë sa i përket rritjes së eksporteve dhe diversifikimit të bazës së produkteve që eksportohen nga vendi ynë, dhe rritjen e kapaciteteve në prodhim. Po ashtu e informova edhe për ndryshimet dhe reformat që po bëjmë si shtet, përfshirë këtu Kodin e ri doganor dhe të akcizave, i cili do të jetë në linjë me direktivat e BE-së. Si dhe për proceset tjera që kanë të bëjnë me dixhitalizimin, me dritaren e vetme kombëtare që do të lehtësojë procedurat dhe barrierat burokratike administrative për bizneset si dhe për hapat që kemi ndërmarrë për kthimin e terminaleve doganore në pronësi të shtetit”, theksoi Murati.
Kjo është hera e parë që një përfaqësues i OBD-së viziton Kosovën, që nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë në vitin 2017.