Presidenti Donald Trump donte dikë që të takohej me presidentin rus Vladimir Putin javën e kaluar, për të hapur negociatat për një marrëveshje eventuale për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Por ai nuk angazhoi sekretarin e tij të Shtetit. Njeriu që Trump dërgoi në Kremlin për të menaxhuar një sfidë gjeopolitike të përmasave titanike nuk ka një formim diplomatik.
Në vend të një profesionisti, shefi i Shtëpisë së Bardhë zgjodhi mikun e tij personal, shokun e golfit dhe miliarderin e pasurive të patundshme, Steve Witkoff.
Trump e ka bërë Witkoff të dërguarin e tij për Lindjen e Mesme, por javën e kaluar, biznesmeni i lindur në lagjen famëkeqe të Bronksit diskutoi për fundin e konfliktit në Evropën lindore për tre orë me Putin.
Vetë Trump e bëri të ditur lajmin, duke thënë se edhe ai vet kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e Kremlinit, duke sinjalizuar një lehtësim të fërkimeve mes dy vendeve.
Palët shkëmbyen të burgosurit javën e kaluar, në kuadër të një marrëveshjeje të u ndërmjetësua pikërisht nga Witkoff gjatë udhëtimit të tij në Moskë dhe gjatë qëndrimit atje, ai diskutoi edhe çështjen e luftës.
Biznesmeni luajti gjithashtu një rol kyç në ndërmjetësimin e armëpushimit aktual mes Izraelit dhe Hamasit, për të cilin si Trump edhe Joe Biden morën përsipër meritat.
Witkoff tani po kthehet në rajon, konkretisht në Arabinë Saudite, për bisedimet e para kokë më kokë amerikano-ruse, pas telefonatës mes dy presidentëve.
Por lëvizjet e guximshme të bëra nga administrata Trump po krijojnë shqetësim në radhët e aleatëve perëndimorë, që druhen se në një rend të ri botëror lojtarët kyç të lihen jashtë bisedimeve.
Kjo, pasi as zyrtarë ukrainas dhe as evropianë nuk u ftuan në takimin mes kryediplomatëve Lavrov dhe Rubio në Arabinë Saudite.