Diplomati amerikan, Christopher Hill, u emërua ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Serbi. Emërimin e tij e bëri presidenti amerikan, Joe Biden.
Ai do ta zëvendësojë Anthony Godfreyn, i cili ka qenë ambasador i SHBA-së në Beograd qysh në nëntor të vitit 2019.
Christopher Hill është një nga diplomatët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hill është njohës i mirë i rajonit të Ballkanit Perëndimor, pasi ishte zëvendës i Richard Holbrookut, negociatorit kryesor amerikan gjatë bisedimeve në Dejton, ku u negociua për një zgjidhje paqësore në vitin 1995 për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Në vitet 1998-1999 Hill ishte i dërguar i posaçëm i SHBA-së në Kosovë dhe mbahet në mend për angazhimin e tij në ndërmjetësimin diplomatik midis forcave të atëhershme politike e ushtarake të Kosovës dhe Beogradit.
Diplomati ka shërbyer në Irak, Kore të Jugut, Poloni, Maqedoni të Veriut dhe për kohë të shkurtër edhe në Shqipëri. Gjatë administratës së George W Bush, ai u emërua si ndihmës sekretar shteti për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.
Hill gjithashtu ishte kreu i delegacionit amerikan në vitin 2003 në bisedimet me gjashtë vende që kishin për qëllim të bindnin Korenë e Veriut të hiqte dorë nga programi i saj bërthamor.
Ambasadori Hill u tërhoq nga shërbimi i jashtëm në 2010 pasi shërbeu si ambasador në Irak. Ai aktualisht është profesor në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit të Columbias në Neë York.
Prania e tij në Shqipëri dhe Kosovë
Kur në vitin 1991, pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet e plota diplomatike pas 52 vitesh mosnjohje, Ambasada Amerikane në Tiranë rihapi dyert e saj me Christopher Hill, si i ngarkuar i përkohshëm. Ai u pasua në dhjetor 1991 nga ambasadori William Edwin Ryerson.
Ambasadori Hill ka treguar mbështetje të vazhdueshme për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Vite më parë ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova do të mbeten përherë vende mike.
“Ajo që dua t’ju siguroj juve është se shumë gjërat në botë ndryshojnë. Bota ndryshon çdo ditë. Por një gjë që kurrë nuk do të ndryshon janë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën. Ne gjithmonë do të jemi afër Kosovës dhe Kosova do të mbetet gjithmonë afër nesh”, kishte deklaruar ambasadori Hill në Prishtinë në vitin 2013 gjatë një ceremonie në Universitetin e Prishtinës ku u nderua me titullin “Honoris Causa”.
Karriera diplomatike
Hill iu bashkua Departamentit Amerikan të Shtetit në vitin 1977. Ai shërbeu si Sekretar për Çështjet Ekonomike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Seul të Koresë në vitet 1983 – 1985.
Hill shërbeu si Ambasador i SHBA në Maqedoni nga 1996 deri në 1999, i Dërguar Special në Kosovë në 1998 dhe 1999, Ambasador në Poloni nga 2000 deri në 2004 dhe ambasador në Republikën e Koresë nga 2004 deri në 2005 para se të emërohej si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.
Në Nëntor 2006 Presidenti Xhorxh W. Bush emëroi Hill për gradën e ministrit të karrierës, grada e dytë më e lartë për diplomatët e karrierës.
Presidenti amerikan Barack Obama emëroi Christopher Hill për postin e ambasadorit amerikan në Irak më 11 mars 2009.
Para emërimit për të përfaqësuar SHBA në Serbi, ambasadori 69-vjeçar ishte tërhequr nga karriera diplomatike për t’iu dedikuar mësimdhënies si profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare. Diplomati flet polonisht, serbo-kroatisht dhe maqedonisht.