Policia në qytetin jugperëndimor gjerman të Heidelbergut ka evakuuar mijëra banorë përpara çaktivizimit të një bombe të Luftës së Dytë Botërore, pranë stacionit qendror hekurudhor, njoftoi sot një zëdhënës gjerman.
Kopshtet, shkollat, kolegjet dhe bizneset në këtë zonë do të qëndrojnë të mbyllura.
Vetëm stacioni hekurudhor do të qëndrojë i hapur për aq kohë sa do të jetë e mundur.
“E gjithë zona do të evakuohet plotësisht”, sipas policisë, shkruan ATSh.
Më pas, stacioni qendror do të mbyllet për një kohë të shkurtër derisa bomba të çaktivizohet.
Bomba prej 250 kilogramësh u zbulua të enjten gjatë punimeve të ndërtimit pranë stacionit hekurudhor.
Një ekip për asgjësimin e bombave u vendos në vendin e ngjarjes, i ruajtur gjatë natës nga policia brenda një zone përjashtimi prej 50 metrash.
Gjermania ka zbuluar shpesh municione të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore.
Shumica prej tyre janë çaktivizuar pa incidente nga ekspertë të asgjësimit të bombave.