UBT News

Mijëra qytetarë protestojnë në Greqi: Duam drejtësi për aksidentin e Tempit!

Mijëra qytetarë grekë morën pjesë në protesta të organizuara në disa qytete të Greqisë më 26 janar 2025, duke kërkuar drejtësi për viktimat e aksidentit të Tempit, një ngjarje tragjike që ndodhi më 28 shkurt 2023, kur dy trena u përplasën, duke shkaktuar vdekjen e 57 personave, përfshirë 5 shtetas shqiptarë. Protestuesit kërkuan që të vihen para përgjegjësisë ata që janë përgjegjës për aksidentin, duke akuzuar qeverinë për tentativë të fshehjes së përgjegjësive të saj.

Familjarët e viktimave besojnë se autoritetet po tentojnë të minimizojnë përgjegjësinë e tyre, veçanërisht pasi më herët u raportua se autoritetet lokale kishin bërë punime në zonën e aksidentit, duke mbuluar gjurmët e tij. Gjithashtu, ata kanë ngritur akuza për dërgimin e materialeve të rrezikshme me njëri prej trenave, një pretendim që është hedhur poshtë nga hekurudhat greke.

Për këtë çështje janë nisur hetime penale ndaj dhjetëra punonjësve shtetërorë, ndërkohë që dy dëshmitarët kryesorë të ngjarjes humbën jetën në aksidente rrugore të dyshimta. Kjo ka shtuar shqetësimet për mundësinë e fshehjes së informacionit të rëndësishëm në lidhje me aksidentin./UBTNews/

Exit mobile version