UBT News

Mijëra përdorues pa qasje në Microsoft 365 për shkak të problemeve teknike

Paketa e softuerëve për produktivitet të Microsoft-it, e njohur si Microsoft 365, ka përjetuar ndërprerje masive, duke lënë jashtë funksionit mijëra përdorues, njofton faqja Downdetector, e specializuar në monitorimin e problemeve të shërbimeve online.

Sipas raportimeve, më shumë se 17,000 përdorues kanë raportuar vështirësi në qasjen dhe përdorimin e shërbimeve të Microsoft 365, përfshirë Word, Excel, Outlook, Teams dhe aplikacione tjera të lidhura. Megjithatë, numri real i përdoruesve të prekur mund të jetë më i madh, pasi shumë persona nuk raportojnë menjëherë problemet përmes platformave të monitorimit.

Microsoft 365 ka konfirmuar se po heton raportimet e punon për të identifikuar shkakun e ndërprerjes, në mënyrë që shërbimet të rikthehen sa më shpejt të jetë e mundur. Kompania këshillon përdoruesit të kontrollojnë faqen e statusit të shërbimeve për njoftime të përditësuara dhe të shmangin operacione kritike derisa problemi të zgjidhet.

Ndërprerjet e tilla, edhe pse të përkohshme, ndikojnë në punën e mijëra bizneseve dhe individëve që varen nga aplikacionet e Microsoft 365 për komunikim, bashkëpunim dhe administrim të detyrave të përditshme.

Kjo ngjarje rikujton rëndësinë e planifikimit të zgjidhjeve alternative dhe kopjeve rezervë për organizatat që varen nga shërbimet cloud.

Në këto raste, përdoruesit përjetojnë probleme si: vështirësi në hyrje, ndërprerje të sinkronizimit të dokumenteve, pamundësi për të dërguar email-e ose për të përdorur funksione të caktuara të Teams dhe aplikacioneve tjera. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version