Mijëra protestues dolën sonte në rrugët e Tbilisit, ndërsa presidentja në largim akuzoi qeverinë se i “shpalli luftë” popullit të saj pasi Ëndrra Gjeorgjiane njoftoi se Gjeorgjia do të pezullojë negociatat me Bashkimin Evropian deri në vitin 2028 dhe do të refuzojë fondet evropiane, duke ndalur në fakt ofertën e saj për anëtarësim.
Qeveria e kryeministrit Irakli Kobakhidze dhe Brukseli kanë qenë në një konflikt mujor për një sërë arsyesh, por gjithçka u intensifikua pas zgjedhjeve të diskutueshme në fund të tetorit.
Opozita akuzoi qeverinë për mashtrim dhe ndërhyrje në rezultatin e zgjedhjeve dhe po bojkoton mbledhjen e re të parlamentit. Brukseli ka bërë thirrje për një hetim të pavarur.
Qeveria në Tbilisi dhe komisioni shtetëror zgjedhor pretendojnë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Ëndrra Gjeorgjiane akuzoi disa liderë evropianë për përdorimin e bisedimeve të pranimit për të “shantazhuar Gjeorgjinë dhe për të organizuar një revolucion në vend”.
“Ne kemi vendosur që çështjen e negociatave me Bashkimin Evropian të mos e vendosim në rend dite deri në fund të vitit 2028. Ne gjithashtu refuzojmë çdo mbështetje buxhetore nga BE deri në fund të vitit 2028”, tha partia.
Qëllimi për t’u bashkuar me BE është i sanksionuar në Kushtetutën e Gjeorgjisë dhe partia në pushtet thotë se ende e mbështet atë. Partia thekson se nuk është pro-ruse, megjithëse i është afruar Moskës për disa çështje.
“Partia në pushtet nuk ka shpallur paqe, por luftë kundër popullit të saj, të kaluarës dhe të ardhmes së saj,” tha presidentja pro-evropiane në largim Salome Zourabishvili, roli i së cilës në Gjeorgji është kryesisht ceremonial.
Mandati i saj përfundon në dhjetor dhe Ëndrra Gjeorgjiane këtë javë emëroi Mikheil Kavelashvili, një ish-futbollist me pikëpamje të vijës së ashpër anti-perëndimore për ta zëvendësuar atë.
Kritikët kanë akuzuar Ëndrrën Gjeorgjiane, e themeluar nga Bidzina Ivanishvili, një miliarder nën hije që e bëri pasurinë e tij në Rusi, se po bëhet gjithnjë e më autoritare dhe e anuar drejt Moskës. Partia kohët e fundit shtyu ligje të ngjashme me ato të përdorura nga Kremlini për të goditur lirinë e fjalës dhe të drejtat e LGBTQ+.
Giorgi Vashadze, një lider i opozitës, shkroi në Facebook se “qeveria e vetëshpallur, jo legjitime tashmë ka nënshkruar ligjërisht tradhtinë e Gjeorgjisë dhe popullit gjeorgjian”.