Ministri i Financave i Gjermanisë, Christian Lindner, doli në rrugë të hënën përballë mijëra bujqve të zhurmshëm që po protestonin kundër rritjes së tatimit, dhe u tha atyre se nuk ka më të holla për subvencione shtesë në bujqësi.
Protesta e bujqve e ka bllokuar Berlinin, pothuajse të cilët e mbushën me traktorë dhe kamionë njërin prej shesheve qendrore të kryeqytetit.
Rreth 10 mijë bujq mbërritën në Berlin të hënën për ta shënuar ditën e shtatë të protestave kundër taksave, një çështje e cila ka nxitur zemërim ndaj Qeverisë gjermane.
“Nuk mund të premtoj më shumë ndihma shtetërore nga buxheti federal”, tha Lindner para bujqve protestues pranë Portës Brandenburg. “Por, ne mund të luftojmë së bashku që ju të gëzoni më shumë liri dhe respekt për punën tuaj”.
Protestat e kanë shtuar trysnin ndaj koalicionit të kancelarit Olaf Scholz, i cili po ka vështirësi t’i zgjidhë mosmarrëveshjen rreth buxhetit dhe t’i frenojë grupet e ekstremit të djathtë.
Bujqit i filluan protestat javën e kaluar pasi Qeveria vendosi për heqjen graduale të uljes tatimore për naftën e përdorur në bujqësi, sepse po përpiqet ta baraspeshojë buxhetin e vitit 2024, pasi Gjykata Kushtetuese mori vendim në nëntor për t’ia kthyer projektligjin e buxhetit për t’i përmirësuar planet e shpenzimeve.
E përballur me kritika të mëdha, Qeveria ka thënë tashmë se do ta mbajë në fuqi një ulje tatimore për automjetet e reja bujqësore dhe se subvencionet e naftës në bujqësi do t’i ndajë gjatë viteve në vijim.
Por, bujqit, të mbështetur zëshëm nga konservatorët në opozitë dhe ekstremi i djathtë, thonë se kjo nuk mjafton.
“Unë kam respekt për çdo politikan i cili është i gatshëm të vijë te ne”, tha Joachim Rukwied, kryetar i Shoqatës së Bujqve të Gjermanisë (DBV), i cili u detyruar t’ia kapë nga dora mikrofonin Lindnerit dhe ta lusë turmën të qetësohet në mënyrë që ta dëgjojnë ministrin.
“Ministri i Financave është këtu. Nuk ka kuptim ta fishkëllejmë atë”, tha ai.
Ministri tha se paratë e buxhetit nevojiten për investimet e lëna pas dore në shkolla dhe në rrugë, si dhe për subvencione në energjinë industriale.
Brohoritjet shpërthyen kur Lindner tha se paratë nevojitën edhe për luftën në Ukrainë.
Disa linja autobusësh dhe trenash u mbyllen gjatë protestës, për sigurisë e së cilës u angazhuan rreth 1.300 oficerë të policisë./REL