Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftari, thotë se për t’u konsumuar raundi i parë për votimin e presidentit duhet të jenë 80 vota në kutinë e votimit. Nëse kjo ndodh, sipas tij, konsiderohet se votimi nuk ka ndodhur fare dhe mund të përsëritet.
Në seancën e sotme dy herë është përsëritur raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës meqë nuk është arritur kuorumi prej 80 votave.
Miftaraj për KosovaPress thotë se pas çdo dështimi, kryetari i Kuvendit duhet t’u rikujtojë deputetëve se kush janë kandidatët për President dhe të sigurohet se ekziston kuorumi prej 80 deputetëve në sallë për të vazhduar me procedurat e votimit
“Në bazë të Kushtetutës dhe praktikës së Gjykatës Kushtetuese për t’u konsumuar raundi i parë duhet të kemi 80 vota në kutinë e votimit. Nëse kjo nuk ndodh konsiderohet se votimi nuk ka ndodh fare dhe mund të përsëritet. Pas çdo dështimi kryetari i Kuvendit duhet të iu rikujtoj deputetëve se kush janë kandidatët për president dhe të sigurohet se ekziston kuorumi prej 80 deputetëve në sallë për të vazhduar me procedurat e votimit”, thotë ai.
I pyetur se deri kur mund të hedhet në votim, duke pasur parasysh që Kushtetuta e Kosovës e përcakton që presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit, Miftaraj thotë se në aspektin kushtetues afati i fundit është 5 maji kur duhet vendi të ketë president për të shmangur zgjedhjet.
“E dëshirueshme padyshim se do të ishte procesi të përfundojë deri me 5 prill, por në aspektin kushtetues afati i fundit është 5 maji kur duhet të kemi presidentin e ri për të shmangur zgjedhjet”, thotë ai.
Në votimin e parë morën pjesë 78 deputetë, ndërsa në të dytin 79. Janë tre deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj që nuk po marrin pjesë në votimin për të parin e shtetit.